VOLEJBOLL MESHKUJ/ VLLAZNIA SIGURON PLAY OFF-IN

Vllaznia e volejbollit të meshkujve është rikthyer tek fitorja. Ajo ka mundur pasditen e së shtunës ekipin e Studentit me rezultatin 3-1 në ndeshjen e rradhës për kampionat. Takimi është luajtur në Tiranë dhe në fakt ka nisur më mirë për vendasit. Ka qenë Studenti që ka fituar setin e parë me rezultatin 25-20. Një nisje jo e mirë për volejbollistët shkodranë që megjithatë gjejnë forca për ta kthyer ndeshjen në favorin e tyre dhe ia dalin. Setin e dytë e ka fituar lehtësisht në shifrat 25-13 dhe kësisoj numri i seteve barazohet në 1-1.

Kaq ka mjaftuar që Vllaznia të dominojë në fushë dhe ajo e ka fituar setin e tretë 25-20 dhe pastaj edhe të katërtin 25-16 dhe në këtë mënyrë i gjithë takimi fitohet prej saj me rezultatin 3-1. Ekipi shkodran ka siguruar plej-ofin sot me këtë fitore dhe më pas, do të shohë për fazën finale të kampionatit.

Ndërkohë krejt ndryshe situata tek ekipi i femrave. Tre lojtaret e huaja të ofruara në merkaton e janarit, duket se nuk do t’i mjaftojnë Vllaznisë për të arritur objektivin e saj për të qenë në mes katër skuadrave më të mira të kampionatit. Ekipi i drejtuar nga trajnerët Besnik Lisha dhe Artan Kalaja ka luajtur një takim shumë të rëndësishëm dhe njëkohësisht përcaktues, atë ndaj Barleti Volej që ka qenë edhe rivali kryesor i Vllaznisë në garën për vendin e katërt të renditjes. Vajzat kuqeblu pavarësisht përpjekjeve të bëra, nuk ia kanë dalë të fitojnë teksa e kanë humbur këtë ndeshje me shifrat 3-0.

Seti i parë ka patur shumë rivalitet dhe është mbyllur me shifrat 26-24 në favor të Barletit. Në dy setet e tjera ndërkohë vendasit e kanë patur disi më të lehtë fitoren dhe i kanë mbyllur ato me shifrat 25-22 dhe 25-21 e kësisoj ka fituar edhe krejt ndeshjen me rezultatin e pastër 3-0. Me këtë humbje, Vllaznia tashmë rrezikon seriozisht vendin e katërt sepse Barleti ndodhet tre pikë para në renditje. Marrja e tre lojtareve të huaja, Karioca, Perez dhe Joçiç duket se nuk e dha efektin e duhur në skuadër megjithatë përderisa ka ende shpresa, ekipi kuqeblu do të provojë deri në fund për të arritur objektivin e tij.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA NIS STËRVITJEN, VJEN ARDIT HOXHAJ

Pas 10 ditësh pushimi, Vllaznia ka zbritur sërish në fushën e stërvitjes, por këtë herë …