VOLEJBOLL, SHTATË SHKODRANË NË EKIPET KOMBËTARE

Ndeshja e javës së kaluar në kryeqytet ndaj Tiranës ka qenë shumë e rëndësishme për ecurinë e mëtejshme në kampionat të ekipit të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë dhe humbja me rezultatin 2-3 i ka ndërlikuar disi gjërat. Loja ka qenë e fortë por në fund kanë triumfuar bardheblutë dhe kësisoj me tre humbje të pësuara deri më tani, shkodranët e shohin për momentin veten jashtë katërshes së ekipeve më të mira të kampionatit që do të vazhdojnë më pas garën për fitimin e titullit kampion. Megjithatë deri në përfundim të fazës së dytë ka ende kohë dhe do të luhen edhe shumë ndeshje të tjera që do të përmbysin shumë gjëra.

Tek Vllaznia ka besim për këtë gjë dhe ajo dallohet qartë si tek trajneri Mikopli ashtu edhe tek volejbollistët. Mendja e tyre për momentin është e përqendruar tek sfida e rradhës, ajo që do të luhet të shtunën në orën 17.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ndaj Teutës së Durrësit. Një ndeshje që patjetër duhet fituar. Pas këtij takimi kampionati do të ndërpritet për një javë. Arsyeja është se Federata Shqiptare e Volejbollit ka vendosur të organizojë Kupën “Pavarësia” me duelet në mes kombëtareve tona dhe atyre të Kosovës.

Njëkohësisht janë bërë publike edhe listat e ekipeve tona kombëtare ku tek ajo e meshkujve bie në sy edhe ftesa për katër prej volejbollistëve të Vllaznisë dhe pikërisht për Mario Gjoklajn, Nikolin Qafarenën, Renato Kolën dhe Ditmir Rrashketa. Edhe tek kombëtarja e femrave do të ketë pjestare nga Vllaznia dhe pikërisht tre pjestare të saj, Antoneta Molla, Amela Qershia dhe Klavia Petëza. Pikërisht ky numër tregon më së miri se volejbollistët shkodranë janë pjesë e rëndësishme e ekipeve kombëtare dhe për këtë arsye, këto vlera ato duhet t’i shfaqin edhe me Vllazninë për të arritur rezultatet e duhura me  të.

Lexoni dhe kete

MARASHI: SUKSESET E ATLETIKËS SHKODRANE DO VAZHDOJNË

Ecuria shumë e mirë e atletikës shkodranë në këto 28 vitet e fundit, e shoqëruar …