VOLEJBOLL/ VLLAZNIA FITON GJYSMËFINALEN E PARË ME TIRANËN

Volejbollistët e Vllaznisë kanë hedhur hapin e parë shumë të rëndësishëm drejt kalimit në finalen e kampionatit pasi kanë fituar takimin e parë gjysmëfinal. Në përballjen e zhvilluar pasditen e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe që është transmetuar drejtëpërdrejtë nga ana e televizionit Rozafa, djemtë e drejtuar nga trajneri Ermal Kraja kanë dominuar ndaj Tiranës në të gjitha drejtimet dhe e kanë mundur atë me rezultatin e pastër 3-0.

Në dy setet e para nuk ka patur shumë histori dhe kuqeblutë i kanë fituar ato me shifrat 25 me 18 dhe 25 me 13. Në të tretin, bardhelutë ndryshuan diçka në lojën e tyre dhe ishin afër fitores teksa udhëhiqnin deri 21 me 14 por Vllaznia përmbys gjithçka në fund dhe arrin ta fitojë edhe këtë set me rezultatin 25 me 23 dhe krejt ndeshjen 3-0. Trajneri Kraja pas ndeshjes është shprehur i lumtur për këtë fitore dhe ka thënë se skuadra është në rrugën e duhur drejt arritjes së objektivit, shpalljes kampion këtë sezon.

Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale, Partizani ka befasuar Erzenin duke e mundur me rezultatin 3-2. Ditën e hënë do të luhen ndeshjet e dyta gjysmëfinale dhe Vllaznia do të synojë ta fitojë edhe përballjen tjetër me Tiranën në mënyrë që të nisë të mendojë pastaj për finalet e titullit kampion.

Lexoni dhe kete

NIS JAVA VENDIMTARE PËR EKIPIN E VLLAZNISË

Java në të cilën kemi hyrë pritet të sjellë zhvillime shumë interesante tek Vllaznia. Gjatë …