Wednesday , 24 July 2019

VOLEJBOLL/ VLLAZNIA ME OBJEKTIV TITULLIN EDHE NE SEZONIN E RI

Në sezonin që sapo u mbyll, Vllaznia në volejboll për meshkuj iu afrua më pranë se kurrë fitimit të titullit kampion, por gaboi atëherë kur nuk duhej. Në finalet ndaj Partizanit, kuqeblutë nuk u ngjitën në lartësinë e duhur, duke shfaqur disa probleme të brendshme, ndoshta edhe disiplinore të cilat ndikuan në paraqitjen e ekipit në fushën e lojës. Përpos kësaj, edhe mosmenaxhimi si duhet i lojtarëve të huaj që erdhën për t’i dhënë titullin Vllaznisë, pati efektin e vet.

Megjithatë tashmë çdo gjë është mbyllur. Trajneri Kraja dhe sportistët kanë zhvilluar një analizë të thellë të këtij kampionati dhe padyshim që kanë nxjerrë gabimet dhe detyrat për të ardhmen. Ajo çfarë është e rëndësishme ka të bëjë me konkluzionin e kësaj analize: Vllaznia do të tentojë fitimin e trofeve edhe në sezonin e ardhshëm. Kontigjenti i lojtarëve pritet të jetë i njëjti të paktën në gjysmën e parë të tij dhe më pas, nëse është e nevojshme do shikohet mundësia për të ndërhyrë në merkato, por këtë herë do të shikohen shumë opsione për të gjetur lojtarët e duhur.

Titulli kampion i vitit 2017 mbetet i vetmi i fituar në historinë e këtij ekipi dhe prej vitesh luftohet fort për të tjerë trofe, por për arsye nga më të ndryshmet, nuk ia kanë dalë. Ky brez lojtarësh në fakt e meriton edhe ndonjë titull tjetër kampion dhe për këtë arsye, do ta provojë sërish në sezonin e ri. Ai kuptohet që do të ketë edhe mbështetjen e duhur financiare nga ana e Sportklub Vllaznia sepse është ekipi më i suksesshëm i lojërave me dorë në këtë sezon të fundit. Ekipi për momentin është pushim por shumë shpejt do të nisë me fazën përgatitore dhe më pas, me përgatitjet intensive për sezonin e ri, aty ku do të pretendohet fitimi i titullit kampion por edhe i Kupës së Shqipërisë.

Lexoni dhe kete

NIS JAVA VENDIMTARE PËR EKIPIN E VLLAZNISË

Java në të cilën kemi hyrë pritet të sjellë zhvillime shumë interesante tek Vllaznia. Gjatë …