Friday , 22 November 2019

VOLEJBOLL/ VLLAZNIA PËR FEMRA PRET NJË SEZON NDRYSHE

Paraqitja e ekipit të volejbollit të femrave të Vllaznisë në sezonin e fundit ka qenë e mirë teksa shkoi deri në fazën e plej- ofit ku u mundua të rivalizonte si i barabartë me ekipin e Tiranës që u shpall dhe kampion i vendit. Po ashtu edhe në kupë vajzat kuqeblu u paraqitën shumë mirë, megjithatë edhe falë moshës së re që kanë shumica e tyre, nuk arritën të hedhin hapin e rëndësishëm për të pretenduar fitimin e ndonjë trofeu. Në sezonin e ri ndërkohë gjërat pritet të jenë ndryshe. Ekipi nën drejtimin e trajnerëve Kroqi e Mikopli ka nisur tashmë përgatitjet, kryesisht me atë fizike dhe gradualisht ngarkesat do të vijnë duke u rritur derisa të kapin formën maksimale.

E rëndësishme është që grupi është ruajtur dhe përpos kësaj, mendohet që të ketë edhe ndonjë përforcim cilësor dhe nëse realizohet kjo, atëherë Vllaznia do të pretendojë edhe të fitojë diçka. Pjesë e ekipit të Vllaznisë në sezonin e ri janë edhe katër volejbollistet që janë edhe anëtare të ekipit kombëtar që mori pjesë ditët e fundit në një turne të zhvilluar në Slloveni. Bëhet fjalë për Amela Qershia, Antoneta Molla, Izabela Dodani dhe Stela Kiri. Ato janë një pjesë shumë e rëndësishme edhe e ekipit shkodran dhe bashkë edhe me disa vajza të tjera i kanë vënë vetes objektiv ta ngrenë nivelin e ekipit të Vllaznisë shumë lart në sezonin e ardhshëm.

Mbase është herët për të përmendur fjalën trofe, por këto vajza janë të etura për një gjë të tillë. Kanë fituar disa vite rresht titujt kampion me ekipin e paratërejave dhe të rejave dhe nëse do ta arrijnë këtë edhe me të rriturat, do të ishte diçka fantastike sepse Vllaznia ka shumë vite që nuk shpallet kampione.

Lexoni dhe kete

BASKETBOLL/ VLLAZNIA E TË RINJVE E NIS ME FITORE KAMPIONATIN

Vllaznia në basketboll për të rinj e ka nisur me fitore kampionatin e ri. Në …