VOLTANA ADEMI, KËRKESË PËR INFORMACION DREJTUAR KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE

Kërkesë për Informacion

Lënda: Kërkesë për informacion lidhur me materitalet zgjedhore të votimeve të 30 qershorit 2019

Drejtuar: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,
z. Klement ZGURI
z. Denar BIBA
z, Bledar SKËNDERI
z. Rezarta Bitri

Të nderuar,

Ndryshe nga çdo herë tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i ka nxjerrë akoma edhe sot. më datë 10 korrik 2019 të dhënat e pjesëmarrjes në votime nga sistemi online i përpunimit të të dhënave për Zonat e Administrimit Zgjedhor (ZAZ) në territorin e Bashkisë Shkodër, përkatësisht në ZAZ 2, ZAZ 3, ZAZ 4 dhe ZAZ 5.

Referuar tabelës së publikuar në faqen zyrtare web të KQZ http://cec.org.al/wp-content/uploads/2019/07/Pjesemarrja_-ora-19-00.pdf, rezulton se në Bashkinë Shkodër kanë marrë pjesë në votim më 30 Qershor, 15913 votues. Referuar përsëri të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të KQZ http://cec.org.al/informacion_paraprak_2019rezulton se numri i votuesve të kandidatit të vetëm është 16534. Sikurse shihet ka një mospërputhje prej 621 votuesish për kandidatin më shumë se sa vetë pjesëmarrja në total e votuesve!!!

Nuk ka ndodhur kurrë më parë, në asnjë proces të administruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të ketë mospërputhje të tillë masive me shifrën zyrtare të pjesëmarrjes me votat që gjenden në kuti ashtu sikurse rezulton sot.

Nuk ka ndodhur kurrë më parë, në asnjë proces të administruar nga KQZ që publikut, çdo qytetari të Shkodrës t’i mohohet e drejta për t’u njohur me rezultatet e pjesëmarrjes për çdo qendër votimi, sipas Zonave të Administrimit Zgjedhor, të dhëna që, të përditësuara orë pas orë, duhej të ishin publike.

Në kushtet e mohimit të pranisë së opozitës në administrimin e procesit të votimeve të 30 Qershorit, në kushtet e mohimit të përfaqësimit me anëtarë në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore, sikurse Kodi Zgjedhor përcakton;

Në vijim të konstatimeve të Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR se administrata zgjedhore e paekuilibruar politikisht, cënon besimin e publikut tek procesi dhe ngre shqetësim të thellë mbi paanshmërinë dhe besueshmërinë e të gjitha komisioneve të të gjitha niveleve;

Në vijim të konstatimit të Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR se në vendimin e përbërjes së niveleve të ulëta të administrimit zgjedhor, KQZ-ja e zbatoi ligjin në mënyrë që tregonte njëanshmëri;

Në vijim të konstatimit Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR se në rreth 10 përqind të qendrave të votimit të vëzhguara, zgjedhësit nuk e shënjuan fletën e tyre të votimit gjithmonë në mënyrë të fshehtë.

Në vijim të konstatimit Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR se gjatë numërimit, pjesa ballore e fletës së votimit nuk u ekspozua gjithmonë në kamera.

Në vijim të konstatimit Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR se sa i përket verifikimit të materialeve zgjedhore, procesverbalet e mbylljes së votimit nuk u gjetën gjithmonë brenda kutisë së votimit.

Në vijim të konstatimit Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR se kopje të tabelës së rezultateve për qendrat e votimit nuk iu dhanë vëzhguesve. Në funksion të transparencës së plotë dhe besimit në integritetin e procesit dhe rezultateve të votimeve të datës 30 Qershor 2019, që janë realizuar me shpenzime të mbuluara nga Buxheti i Shtetit;

Unë ju drejtohem si qytetare e Bashkisë së Shkodrës, e cila ka përgjegjësinë, njëkohësisht, të drejtimit dhe administrimit të kësaj Bashkie. Në mbështetje të neneve 4, 5, 6 e vijuese të Kodit të Procedurave Administrative, neneve 3 dhe 11 të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” si dhe Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, që nuk i trajton dokumentet e procesit zgjedhor si “sekret shtetëror” dhe transparencën e ka element kyç për një proces të rregullt zgjedhor,

KËRKOJ:

Të më vihen në dispozicion, në kohë sa më të shpejtë të mundshme, por jo më vonë se afati ligjor 10 ditor, dokumentacioni dhe materialet zgjedhore si më poshtë:

  1. Kopje të vërtetuara të Tabelave Përmbledhëse të rezultateve zgjedhore për Bashkinë Shkodër nga KQZ-ja, përkatësisht tabelat përmbledhëse të rezultatit për ZAZ 2, ZAZ 3, ZAZ 4, dhe ZAZ 5.
  2. Kopje e vërtetuar e Tabelave Përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore të Bashkisë Shkodër nga Komisionet Zonale të Adminsitrimit zgjedhor, përkatësisht tabelat përmbledhëse të rezultatit për ZAZ 2, ZAZ 3, ZAZ 4, dhe ZAZ 5.
  3. Kopje të vërtetuara të tabelave të rezultateve për çdo qendër votimi nga grupet e numërimit, përkatësisht sipas ZAZ 2, ZAZ 3, ZAZ 4 dhe ZAZ 5.
  4. Kopje të vërtetuara të procesverbaleve tip për mbylljen e votimit për çdo qendër votimi, përkatësisht sipas ZAZ 2, ZAZ 3, ZAZ 4 dhe ZAZ 5.
  5. Kopje të vërtetuara të listës së anëtarëve të administratës zgjedhore, të emëruar kryesisht nga KQZ dhe përkatësisht nga KZAZ 2, KZAZ 3, KZAZ 4, KZAZ 5, sipas regjistrit të administrimit zgjedhor që mban KQZ-ja, për çdo qendër votimi, KZAZ dhe Grup Numërimi.
  6. Kopje të regjistrimit të kamerave të të gjitha tavolinave të numërimit në çdo Grup të Numërimit të Votave.
  7. Kopje të regjistrimit të kamerave të ambjenteve të brendshme të KZAZ-ve.
    Kërkesa për informacion bazohet në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Lutemi të më njoftoni nëse për marrjen e informacionit në formatin e vlerësuar si të përshtatshëm nga ana juaj, duhet të parapaguhet tarifa e shërbimit, duke caktuar edhe vlerën totale të saj. Duke ju falenderuar për mirëkuptimin, mbetem në pritje të përgjigjes tuaj, Me respekt: Voltana Ademi

Lexoni dhe kete

BASHA: DO TË HETOJMË GRABITËSIT E SHQIPËRISË

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një dalje për mediat u shpreh se kapja …