Breaking News

XHEVAHIR SUKAJ GJITHNJË E MË PRANË VLLAZNISË

Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj duket gjithnjë e më pranë Vllaznisë. Një gjë të tillë ai e ka pranuar edhe vetë mbrëmjen e së dielës teksa ka qenë i ftuar në një nga studiot televizive të kryeqytetit kur ka deklaruar se ka dëshirë ta ndihmojë skuadrën e qytetit të tij në këto momente të vështira që ajo po kalon. Vetë Sukaj ka bërë të ditur se ka edhe një mundësi për t’u larguar jashtë vendit dhe për të do të presë edhe pak ditë por gjasat janë që me datë 4 janar të jetë në stërvitje me ekipin shkodran. Shumë prej tifozëve të Vllaznisë në fakt janë disi pesimist për këtë lojtar.

Forma e tij e kohëve të fundit tek Partizani nuk ka bindur shumë dhe kjo mund të jetë një nga arsyet pse klubi i kuq ka vendosur ta lërë të lirë. Por ndërkohë trajneri i kuqebluve Ernest Gjoka mendon ndryshe. Ai është shprehur para pak ditësh se me Sukajn në skuadër, problemet e Vllaznisë në sulm mund të marrin fund. E përderisa e thotë trajneri, natyrisht që duhet t’i besojmë. Për më tepër që përpara është edhe periudha përgatitore e janarit dhe lojtari mund të marrë formën e duhur shumë shpejt. skuadra shkodrane ka hasur probleme të mëdha në gjysmën e parë të sezonit në mbrojtje dhe sulm. Jo më kot, edhe stafi teknik ka kërkuar përforcime në këto dy reparte. Nëse vjen Sukaj, është e sigurtë se Vllaznia nuk do të kërkojë për sulmues tjetër dhe vëmendja do të përqendrohet pastaj tek mbrojtja ku do të kërkohen dy qendërmbrojtës.

Arsyeja është e qartë se ky repart ka krijuar jo pak probleme duke pësuar shumë gola dhe prandaj duhet ndërtuar nga fillimi. Megjithatë, e rëndësishme është që në skuadër kanë filluar lëvizjet e para dhe nëse vjen firma e Sukajt, do të ishte lajmi i parë i mirë për tifozët por sigurisht jo i fundit.

Lexoni dhe kete

KAJOSHI & VJERDHA: SYNOJMË MEDALJE NË LOJËRAT MESDHETARE

Përgatitjet e kombëtares shqiptare të boksit tashmë kanë marrë fund dhe mëngjesin e së shtunës …