ZBARDHET DOSJA E VRASJES NE RRESHEN

Snajperisti që ekzekutoi me një plumb të vetëm biznesmenin Kastriot Reçi, është parë të hyjë si burrë nga apartamenti prej nga ka qëlluar dhe më pas të dalë si grua. Ky është konstatimi që kanë bërë oficerët e policisë dhe prokurorët e Lezhës, të cilët gjatë 48 orëve pas kësaj çështje mundën të krijojnë një dinamikë të këtij krimi të rëndë dhe tepër të sofistikuar, që ka ndodhur në qytetin e Rrëshenit. Sipas një relacioni të policisë kriminale përcjellë në prokurorinë e Lezhës thuhet se snajepristi ende i paidentifikuar ka vëzhguar për një kohë të gjatë viktimën, duke ndërtuar dhe një plan strategjik e të sofistikuar për të bërë eleminimin fizik të shtetasit Kastriot Reçi.

Nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë rezulton se ditën e ngjarjes në orën 6:30 minuta të mëngjesit një person që dyshohet të jetë si autori kryesor konstatohet që zbret nga një automjet tip “Benz Mercedes”, dhe në duar mban dy çanta. Njëra nga çantat nga diametra të gjatë, e ngjashme me ato të armëve të zjarrit si çifte. Ndërsa tjetra duket që është një çantë e zakonshme rrobash. Sapo ka zbritur nga automjeti tip Benz, drejtuesi i makinës është larguar ndërsa personi tjetër ka marrë drejtim në hyrjen e pallatit 9-katësh, andej nga dhe është bërë goditja me armë. Nga ky moment deri pak minuta pas orës 12:00 të mesditës, qitësi ka pritur në banesë duke vëzhguar lëvizjet para lokalit të Kastriot Reçit.Në raportin e policisë thuhet se: “autori i dyshuar teksa ka qëndruar për disa orë në ambientet e brendshme të apartamentit, ka konsumuar ujë, cigare dhe disa kikirikë, të cilat janë gjendur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, duke kërkuar ekspertim biologjik dhe AND-je”.

Nuk ka kaluar shumë nga qëndrimi i tij në këtë banesë, i cili në fakt ishte pozicionuar në apartamentin me nr.28, qitësi rreth orës 11:00 ka qëlluar me një plumb të vetëm mbi, Kastriot Reçin, kur ky i fundit ishte në prani të një personi tjetër dhe një fëmije të mitur.Nuk ka kaluar shumë minuta nga kjo vrasje, kur kamerat e sigurisë kanë fiksuar një person që del nga pallati në orën 12:07 minuta, i veshur si grua dhe me paruke me flokë të gjata që largohet me shpejtësi nga ngjarja, dhe në duar mban çantën me diamentër të gjatë, ku dyshohet ta ketë futur armën. Gjithmonë duke iu referuar analizimit të kamerave të sigurisë që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, personi dallohet qartë se ka të veshur një fustan të zi dhe poshtë tij ka të veshura tuta me viza të errëta poshtë fustanit.

Pas këqyrjes dhe krehjeve në terren të rrugëve nga ku mendohej se mund të ketë kaluar vrasësi, grupi i hetimit ka, arritur të gjejë një armë snajper, një paruke, një kanotiere, një palë këpucë dhe një fustan. Në vazhdën e administrimit të provave, prokuroria ka fiksuar në apartamentin nga u qëllua Kastriot Reçi, plot 10 prova, si gjurmë gishti, qime floku, pështymë, bishta cigareje, një bidon ujë, lëvore kikiriku, një qese ambalazhi kikiriku e prova të tjera. Të gjitha këto prova janë dërguar për ekzaminim në laborator, ku është kërkuar nxjerrja e analizave të AND-së.

Lexoni dhe kete

SHKODER/ FINALIZOHET OPERACIONI “TABACCO 2020”

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “TABACCO 2020”. Strukturat e Drejtorisë Vendore të …