ZENELI KTHEHET ME MEDALJE, ASKUSH S’DEL PËR TA PRITUR

Në Lojërat Mesdhetare që u zhvilluan në Tarragona të Spanjës, boksieri vlonjat Krenar Zeneli ka marrë medaljen e argjendtë, duke qenë i dyti sportist që i dha medalje vendit tonë pas Luiza Gegës. Njëkohësisht vendi i dytë i tij në këtë aktivitet të rëndësishëm është rezultati më i lartë në gjithë historinë e boksit shqiptar. Mbrëmjen e djeshme, kombëtarja shqiptare e boksit ka mbërritur në Rinas dhe trajneri i saj Zef Gjoni si dhe protagonisti i këtij suksesi Krenar Zeneli janë shprehur shumë të lumtur për marrjen e kësaj medalje.

Zeneli i ka sjellë Shqipërisë medaljen më të lartë të arritur në gjithë historinë e boksit shqiptar por ajo që e ka çuditur atë dhe pjestarët e tjerë të kombëtares tonë, ka qenë mosprania e asnjë drejtuesit të Federatës së Boksit apo dhe të Ministrisë së Sportit në aeroportin e Rinasit për ta pritur. Me përjashtim të disa familjarëve të tij që kishin ardhur nga Vlora dhe disa të tjerë nga Shkodra, askush tjetër nuk kishte dalë për ta pritur vendin e dytë të Lojërave Mesdhetare. A thua se Shqipëria ka marrë me dhjetra medalje në këto Lojëra dhe nuk mund të dilnin për t’i pritur.

Çuditë vazhdojnë edhe më tej sepse asnjë media nuk ka qenë në Rinas me përjashtim të TV Rozafës që përmes pamjeve të xhiruara nga kameramani Kristian Troshani përcjell emocionet e para të protagonistëve të këtij suksesi historik për boksin shqiptar. Gjithsesi, ai e bëri të vetën. I dha Shqipërisë një medalje të argjendtë në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”.

Lexoni dhe kete

SHKODRA U-13 MUND TIRANËN DHE SHPALLET KAMPIONE

Ekipet përfaqësuese Rajonale të moshave të Zonës së Shkodrës janë vlerësuar ndër më të mirat …