Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, CRCA Shqipëri dhe ANYN (Rrjeti kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri) bënë publike Indeksin Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, i cili përmban vlerësimin që organizatat e shoqërisë civile në vend i kanë bërë punës së Qeverisë dhe Bashkive për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë në Shqipëri. Indeksi është pjesë e Raportit Kombëtar “Rinia në Shqipëri”, i cili do të bëhet publik në 12 Gusht 2018, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për të Rinjtë. Raporti, që u përgatit përgjatë një periudhe dy vjeçare me pjesmarrjen e mbi 15 organizatave të shoqërisë civile rinore, ngre shqetësimin se Plani Komëbtar i Veprimit për Rininë (2015-2020) ka mbetur thuajse tërësisht i pazbatuar dhe se Rinia nuk është një prioritet për Qeverinë dhe Bashkitë në Shqipëri. Sipas Raportit, një ndër sfidat madhore të të rinjve në vendin tonë mbetet punësimi. Rreth 81% e organizatave Rinore deklarohen se nuk kanë mbështetjen e Qeverisë për promovimin dhe fuqizimin e programeve të nxitjes së punësimit të të rinjve. Të dhënat më të fundit nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) për vitin 2018, tregojnë se Shqipërinë zë vendin e parë në Europë për papunësinë e të rinjve.
Të dhënat e raporteve të organizatave ndërkombëtare, tregojnë se rreth 70% e të rinjve në Shqipëri kërkojnë të emigrojnë në një vend të BE-së! Të rinjtë, përballen me mungesa të mundësive, politikave sociale dhe ekonomike dhe mospërfillje të tyre nga institucionet vendimmarrëse për çështjet e punësimit dhe zhvillimit, që ndikojnë në jetën e tyre. Pjësëmarrja e të rinjve në proceset vendimarrëse është shumë e ulët. Në bazë të Raportit të CRCA dhe ANYN, rreth 73% e të rinjve në vendin tonë, nuk gjejnë mbështetjen e Qeverisë në përfaqësimin e tyre në proceset vendimmarrëse dhe strukturat e qeverisjes vendore. Referuar këtij raporti të rinjtë, po përdoren vetëm si një sfond politik, nuk kanë pjesëmarrje efektive në politikë-bërje dhe vendimarrje në të gjitha nivelet e politikës si dhe kanë një mungesë të theksuar të mbështetjes së saj.
Deri në fund të vitit 2017, Qeveria nuk shpenzoi asnjë lek për zbatimin e Planit të Veprimit për Rininë. Edhe pse Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, ka ngritur zërin për këtë problem thelbësor, Kuvendi i Shqipërisë dhe Qeveria pranuan të caktonin vetëm 0.01% të buxhetit të shtetit për të rinjtë, për rreth 35% të popullsisë në Shqipëri. Me përjashtim të Tiranës, Bashkitë e tjera në vend nuk kanë asnjë zë buxhetor specific për të rinjtë.