Këtë fundjavë kanë startuar ndeshjet e 17 dhe 19-vjeçarëve në kampionatin shqiptar. Kështu, Vllaznia U17 nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 në sfidën e zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi”, ndaj ekipit te Partizanit.
Pjesa e parë u mbyll në barazim 0 – 0, ndërkohë në të dytën, në minutën e 54-të futbollisti Gerald Kubazi do të kalonte në avantazh ekipin shkodran. 8 minuta më vonë, futbollisti Jozef Marashi do të ndëshkohej me kartonin e dytë të verdhë dhe si rrjedhojë do të linte kuqeblutë me 1 lojtarë më pak në fushën e lojës.
Nga kjo përfiton Partizani, që barazon me futbollistin Hysneli, i cili më pas do shënonte edhe golin e dytë në minutën e 67-të, duke kaluar në avantazh të kuqtë. Por, Vllaznia nuk dorëzohet dhe në minutën e 95-të fiton një 11-metërsh, që është kthyer në gol nga futbollisti Kubazi. Kështu, te dyja ekipet ndajnë nga 1 pikë në këtë ndeshje.
Ndërkohë, në barazim e ka nisur sezonin e ri edhe Vllaznia U19. 19-vjeçarët kanë barazuar 1-1 ndaj Partizanit U-19. Të parët kanë kaluar në avantazh shkodranët, por ata nuk kanë arritur dot ta ruajnë atë dhe në fund kanë ndarë nga 1 pikë me të kuqtë e kryeqytetit. Ka qenë futbollisti Klajti Halili ai që ka zhbllokuar shifrat në minutën e 36-të, ndërsa në minutën e 80-të Perlala i Partizanit ka barazuar rezultatin.