Rreth 11% ka qenë rritja e xhiros së regjistruar në zonat turistike dhe 13% rritje punësimit. Këto janë rezultatet e deklaruara nga administratat tatimore në përmbyllje të zbatimit planit sektorial në këtë sektor. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në total janë kryer 9,486 kontrolle në territor dhe janë konstatuar 3,500 shkelje të ndryshme. Sa i përket bizneseve që kanë punësuar punonjës të padeklaruar, janë kapur në shkelje 451 subjekte dhe 296 tatimpagues janë konstatuar të paregjistruar.
Një pikë tjetër ku është fokusuar aksioni tatimor në zonat turistike gjatë sezonit veror ka qenë dhe mbledhja e detyrimeve të prapambetura. Administratat tatimore bën me dije se janë arkëtuar 79.4 milionë lekë detyrime të prapambetura, nga 319 tatimpagues që i janë përgjigjur detyrimit për të shlyer borxhet. Sa i takon TVSH-së në sektorin e turizmit, vlerësohet se qarkullimi me TVSH është rritur në masën 12% dhe 16 % është rritur TVSH e pagueshme. Masat e marra nga administratat tatimore ndër të tjera janë përqendruar edhe në edukimin dhe informimin e subjekteve që ushtojnë aktivitet në këto zona.
