Gjykata e shkallës së parë Shkodër ka rikonfirmuar këtë të hënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin Dedë Nika. Ai u kap nga policia të shtunën në kuadër të finalizimit të operacionit të koduar “Mesazhi”.
Ndaj 33-vjeçarit rëndon akuza e shkatërrimit të pronës me eksploziv dhe armëmbajtje pa leje.
Shtetasi Dedë Nika akuzohet si autor i vendosjes së lëndës eksplozive në banesat e oficerit të policisë Prelë Milani dhe qytetarit Zef Bungaja. Ngjarje këto të ndodhura me 4 janar të vitit 2020.
Më herët, policia njoftoi se nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, strukturat hetimore të DVP Shkodër, po punojnë intensivisht për identifikimin e bashkëpuntorëve të mundshëm, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera të kësaj natyre, të ndodhura në kohët e fundit.
Në fakt, duhet theksuar se disa shpërthime të tjera me lëndë plasëse në banesat e efektivëve të policisë në Shkodër vijojnë të mbeten pa autorë.