BASKETBOLL/ VLLAZNIA ME PROBLEME PARA PARTIZANIT

Mes shumë problemesh, por Vllaznia e basketbollit të meshkujve do të zbresë në fushën e lojës të shtunën pasdite. Ajo do të presë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipin e Partizanit, ndeshje që do të luhet në orën 18.00 dhe do të jetë e vlefshme për turin kualifikues të Kupës së Shqipërisë.

Ndryshimet e fundit që ka pësuar shoqata e basketbollit me largimin e presidentit Xhaferi dhe bashkë me të edhe të disa basketbollistëve amerikanë, ka bërë që numri i lojtarëve aktualë që kanë mbetur në skuadër është i reduktuar.

Nga të huajt kanë mbetur vetëm 3 amerikanë të cilët bashkë me basketbollistët shkodranë do të mundohen të bëjnë më të mirën në ndeshjet e ardhshme, të vlefshme për Kupën e Shqipërisë por edhe për Ligën Ballkanike. Trajneri Bledar Gjeçaj që ka marrë përsipër drejtimin e ekipit në këtë periudhë, nuk duket shumë optimistë për kualifikimin ndaj Partizanit sepse skuadra ka rreth dy javë pa stërvitje dhe përpos kësaj, edhe numri i lojtarëve në dispozicion është i reduktuar.

Megjithatë ai dhe kolegu i tij Astrit Zaganjori po mundohen të bëjnë më të mirën për t’i karikuar lojtarët dhe për të marrë më të mirën e mundshme prej tyre në këtë ndeshje, duke pritur natyrisht edhe mbështetjen e tifozëve shkodranë. Dëshira është e madhe në fakt, për t’u kualifikuar për në turin tjetër të Kupës.

Katër skuadrat që do t’i fitojnë ndeshjet e turit kualifikues, do të kalojnë në gjysmëfinale të këtij kompeticioni e më pas në finale. Ndeshjet e turit final janë planifikuar për t’u luajtur më 22 dhe 23 janar, çka do të thotë se Vllaznia nuk do të ketë shumë kohë për t’u përgatitur për këto ndeshje, megjithatë do të mundohet të bëjë më të mirën, duke nisur nga sfida e së shtunës me Partizanin.

Lexoni dhe kete

BASKETBOLL/ VLLAZNIA MUND TEUTËN 90 – 71

Basketbollistët e Vllaznisë kanë bërë një paraqitje të shkëlqyer në finalen e dytë ndaj Teutës, …