Pasi është mbyllur kampionati, tashmë e gjithë vëmendja e futbollit shqiptar është përqendruar tek finalja e Kupës së Shqipërisë, ajo në mes Vllaznisë dhe Laçit, që do të luhet ditën e martë në ora 19.00 në stadiumin “Air Albania” të kryeqytetit.
Kjo ndeshje do të përcaktojë edhe verdiktet përfundimtare të sezonit 2021-2022 duke na dhënë emrin e skuadrës që do të fitojë trofeun e dytë më të rëndësishëm të futbollit shqiptar e po ashtu, edhe emrin e skuadrës së katërt që do të përfaqësojë vendin tonë në Kupat e Europës. Në Shkodër padyshim që ankthi është i madh sepse kemi të bëjmë me një takim shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Vllaznisë.
Skuadra nuk arriti ta siguronte Europën përmes kampionatit dhe tashmë përmes finales së kupës e ka mundësinë e fundit për të shpëtuar sezonin. Ndërkohë, interesi për finalen duket i madh në rradhët e tifozërisë shkodrane. Nisur nga kjo, Klubi i Futbollit Vllaznia i ka kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit si organizatore e ndeshjes, të hapë sportelet për shitjen e biletave edhe në Shkodër dhe kjo kërkesë është miratuar.
Shitja e tyre do të nisë nga e diela dhe do të vazhdojë deri të martën në sportelet pranë stadiumit “Loro Boriçi”. Mësohet se një biletë në tribunën VIP të stadiumit do të kushtojë 3 mijë lekë të reja, në tribunën përkarshi 1 mijë lekë dhe në tribunat pas portë, një biletë do të kushtojë 500 lekë.
Pritet që numri i tifozëve shkodranë në “Air Albania” të jetë i madh në mbështetje të Vllaznisë, me shpresën që në fund të ndeshjes të gëzojnë të gjithë sëbashku fitoren e 8-të të Kupës së Shqipërisë nga skuadra kuqeblu.