Thursday , 27 January 2022

BRDARIÇ: NUK NA INTERESON LAÇI, SHOHIM VETËM VLLAZNINË

Faza e dytë e kampionatit të Superligës do të nisë me përballjen Vllaznia- Laçi që do të luhet pasditen e së shtunës në Shkodër.

Kuptohet që këtë herë duket se do të jetë histori tjetër nga ajo e fazës së parë kur kuqeblutë fituan 5-3 në Laç, megjithatë ata janë të vendosur për të arritur një tjetër fitore.

Për trajnerin Thomas Brdariç nuk është shumë e rëndësishme se çfarë momenti po kalon Laçi apo si do luajë ai. E rëndësishme është që Vllaznia të bëjë lojën e saj dhe nëse gjërat shkojnë si duhet, padyshim që fitorja do t’i takojë asaj…

Përkthimi: “Së pari dua të them diçka për tifozët tanë. Ata janë shumë të rëndësishëm për ne. E kemi nisur këtë rrugëtim bashkë dhe i duam të gjithë t’i kemi përkrah. Dua që e gjithë Shkodra të jetë me ne dhe të na përkrahin sa më shumë të jetë e mundur.

Po punojmë që të kemi një vazhdimësi rezultatesh pozitive. Mezi po e presim sfidën me Laçin. Për ne nuk është shumë e rëndësishme nëse ai po kalon një moment të mirë apo jo. Ne duhet ta marrim shumë seriozisht këtë ekip dhe duke mbështetur njëri- tjetrin, shpresoj t’ia dalim për ta mundur edhe nesër. Duhet të zbresim me dëshirën maksimale në fushë për të marrë fitoren në këtë ndeshje”.

Optimist në këtë pragndeshje është shfaqur edhe sulmuesi Ardit Hoxhaj i cili ka qenë përkrah trajnerit Brdariç në konferencën për shtyp. Ai është shprehur se ka pritur momentin e tij dhe tashmë po mundohet të japë më të mirën në fushë, për ta ndihmuar skuadrën të arrijë objektivat e saj.

Ndeshja Vllaznia- Laçi që do të luhet të shtunën në orën 19.45 në stadiumin “Loro Boriçi” konsiderohet shumë e rëndësishme për të dy skuadrat e si rrjedhojë pritet një ballafaqim shumë interesant në fushën e lojës.

Lexoni dhe kete

BRDARIÇ: VLLAZNIA ASNJË NËNVLERËSIM PËR EGNATIAN

Vllaznia do të luajë pasditen e së premtes ndaj Egnatias sfidën e rradhë për kampionat. …