Çiklistët e Vllaznisë kanë bërë një tjetër paraqitje të mirë në garat kombëtare ku kanë marrë pjesë. Këtë herë, në garat e Kupës së Shqipërisë që u zhvilluan për dy ditë me rradhë në qytetin e Korçës.
Kuqeblutë kanë marrë pjesë me 4 sportistë në këtë aktivitet dhe kanë arritur të zënë një vend të parë dhe të dytë me çiklistin Flavio Venomi në kategorinë e të rinjve, ndërsa në garat e të rriturve, çiklisti Marçelo Kola në të dy ditët e garave, është renditur I treti.
Për trajnerin e ekipit të Vllaznisë Leonat Kola, ky ekip po arrin jo vetëm të mbijetojë, ndonëse ka patur largime të shumta sportistësh, por edhe të jetë I suksesshëm, ndonëse vështirësitë janë shumë të mëdha dhe këtë e tregon më së miri fakti që prej dy vitesh, ky ekip nuk merr asnjë litër karburant…
Një nga problemet më të mëdha jo vetëm të ekipit të çiklizmit, por edhe në sporte të tjera, është eksodi masiv I të rinjve, të cilët të pakënaqur me atë se çfarë u ofron Shqipëria, kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit. Si rrjedhojë kjo gjë ka krijuar një shqetësim shumë të madh për ekzistencën e shumë sporteve në Shkodër dhe jo vetëm.