Emisioni “Sport Arena” mbrëmjen e së hënës ka mbyllur një edicion shumë të suksesshëm teksa në këtë emision të fundit ka qenë i ftuar një nga trajnerët më të mirë të futbollit shqiptar aktualisht- Armando Cungu. Ai ka bërë të ditur se ka patur disa oferta megjithatë ende nuk e ka vendosur se ku do të punojë në sezonin e ardhshëm ndonëse shanset janë të vazhdojë punën sërish tek Laçi.
Në këtë emision është folur edhe për sportin e atletikës ku ka qenë i ftuar një nga trajnerët e ekipit të Vllaznisë, Fatjon Serhati që ka folur për turneun e Bosnjës ku do të marrin pjesë atletët shkodranë si dhe për kampionatin kombëtar ku Vllaznia pretendon titullin kampion. Njëkohësisht është folur edhe për futbollin e femrave dhe presidenti i ekipit të Vllaznisë Lazer Matija ka bërë të ditur se kanë filluar përgatitjet për pjesmarrjen në Ligën e Kampioneve. “Sport Arena” në këtë mënyrë ul siparin e këtij sezoni sportiv për t’u takuar sërish me teleshikuesit në sezonin e ardhshëm.