Pezullohet me dy ndeshje trajneri I Vllaznisë Armando Cungu. Vendimi është marrë pasditen e së martës nga Komisioni I Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit pikërisht për reagimin e ashpër të këtij trajneri ndaj gjyqtarëve të ndeshjes me Partizanin. Po ashtu, ky komision ka marrë edhe një vendim tjetër kundër klubit shkodran, gjobitjen e tij me 500 mijë lekë të vjetra për sjelljen jokorrekte të tifozëve po në këtë ndeshje. Këto janë vendimet e marra ditën e djeshme dhe sigurisht që zbatimi I tyre do të zbatohet që nga dita e sotme.
Kështu që trajneri Cungu do të mungojë në takimin e kupës me Skënderbeun në Korçë si dhe të dielën në Vlorë ndaj Flamurtarit në ndeshjen e kampionatit. Natyrisht që numri 1 I pankinës shkodrane ka qenë tepër I revoltuar me veprimet e gjyqtarëve të ndeshjes ndaj Partizanit.
Reagimi I tij ka patur kulmin në fundin e pjesës së parë, pikërisht pas momentit të diskutueshëm të mosdhënies së një 11-metërshi në favor të Vllaznisë pas pengimit në zonë të Vrapit dhe po ashtu edhe pas goditjes së Krymit nga njëri prej lojtarëve kundërshtar. Pavarësisht këtyre veprimeve, gjyqtari kryesor Kridens Meta nuk dha karton të kuq dhe kjo ka irrituar Cungun që nuk ka mundur të qëndrojë pasiv. Por përveç largimit nga fusha në fillim të pjesës së dytë ndaj Partizanit, atij do t’I duhet të mungojë në pankinë dhe në dy takimet e rradhës dhe për këtë arsye, skuadra do të drejtohet nga ndihmësit e tij, Maxhar dhe Dani.