Dogana Shqiptare ka zhvilluar takimin e dytë informues me biznesin shkodran për “Prezantimin e Strategjisë së Implementimit të Proçedurave të Thjeshtuara” të cilat në Shkurt të 2015 pritet që të fillojnë aplikimi i tyre, ndërsa në Mars 2015 do të fillojë aplikimi i gjerë i Procedurave të Thjeshtuara. Prezantimin e këtij projekti të ri dhe inovativ të Doganës Shqiptare e bënë ekspertë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Znj. Mirela Meko i bëri thirrje të gjitha bizneseve shkodrane që të aplikonin të bëheshin pjesë e kësaj procedure të thjeshtuar, e cila hyn në fuqi në fillimin e vitit të ardhshëm. Në këtë mënyrë biznesit do t’i shkurtohen kohë e përkthyer në më pak kosto. “Proçedurat e thjeshtuara mundësojnë mbërritjen e mallrave direkt në ambientet e Operatorit Ekonomik pa pasur nevojë të kryejë formalitetet në një dogane të brendshme dhe çlirimin e tyre po në këto ambiente. Kryerjen e gjithë procedurës së eksportit të mallrave po nga ambientet e Operatorit Ekonomik. Janë kohë dhe kosto të kursyera nga Operatori Ekonomik por njëkohësisht edhe nga dogana duke ridimensionuar burimet dhe përmirësuar ndjeshëm shërbimin doganor.”
Deri në fund të vitit 2014 do të përfundojë pilotimi i Procedurave të Thjeshtuara në operatorët e përzgjedhur për mbylljen e transitit pranë ambienteve të tyre si dhe gjithë procedura e zhdoganimit. Ndërsa Shkurti i 2015 do të shënojë fillimin e deklarimit të thjeshtuar dhe në Mars 2015 do të mundësohet aplikimi i gjerë i procedurave të thjeshtuara. Dogana Shqiptare do të vazhdojë diskutimet me grupet e interesit për një aplikim sa më të vlefshëm të Proçedurave të Thjeshtuara.