Saturday , 27 November 2021

DY EKIPET E VOLEJBOLLIT TË VLLAZNISË SHKOJNË NË PLAY-OFF

Të dy ekipet e volejbollit të klubit Vllaznia kanë arritur të sigurojnë një vend në katërshen e ekipeve më të mira të vendit duke qenë në play-off dhe tashmë do të luftojnë për fitimin e titullit kampion. Si ekipi i femrave ashtu edhe ai i meshkujve janë renditur të dytët në grup duke arritur në këtë mënyrë edhe objektivin e tyre të parë të sezonit.

Femrat e Vllaznisë ndeshjen e fundit të fazës së dytë të kampionatit e kanë luajtur në Vlorë dhe e kanë fituar me rezultatin 3-2 ndaj Flamurtarit. Me këtë fitore, ato janë ngjitur në kuotën e 24 pikëve dhe mbajnë vendin e dytë. Sipas formulës së kampionatit që ka përcaktuar Federata Shqiptare e Volejbollit, dy skuadrat më të mira të secilit grup shkojnë në play-off dhe për rrjedhojë kalendari ka vënë përballë Vllaznisë ekipin e vendit të parë të grupit tjetër, që është Tirana.

Ndeshja e parë në mes këtyre dy ekipeve do të luhet këtë fundjavë në kryeqytet, ndërsa e dytë mesjavën e ardhshme në Shkodër. Në finale do të shkojë ekipi që do të fitojë dy ndeshje.

Kuptohet që skuadra e drejtuar nga trajnerja Nora Deda do të provojë mrekullinë , ndonëse duket shumë e vështirë përballë një Tirane shumë të fortë, megjithatë fituesin do ta vendosë fusha e lojës.

Edhe ekipi i meshkujve të Vllaznisë ka shkuar në play-off dhe të shtunën do të ndeshet me Partizanin në gjysmëfinale. Një kundërshtar me të cilin në fakt janë ndeshur edhe pak kohë më parë në gjysmëfinalen e Kupës dhe që u fitua ndaj të kuqve 3-0. Këtë herë volejbollistët shkodranë do të tentojnë fitoren dhe kualifikimin.

Trajneri Artan Kalaja e ka thënë disa herë se nëse skuadra jep më të mirën e saj në fushën e lojës, atëherë edhe fitimi i titullit kampion do të jetë objektiv. Megjithatë, për momentin fokusi i të dy ekipeve të klubit Vllaznia do të jetë i përqendruar tek ndeshja e para gjysmëfinale që zhvillohen këtë fundjavë në Tiranë.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA ME PËRBËRJE TË PLOTË NDAJ LAÇIT

Vllaznia vijon përgatitjet për ndeshjen e rradhës, atë që do të luajë ditën e shtunë …