Besimtarët katolike tashmë kanë hyrë në 7 javëshin e Krezhmeve, e cila nis me të mërkuren e perhime. Kreshmët janë kohë e shenjtë liturgjike, e cila i paraprin dhe përgatit për kremtimin e festës Pashkës. Është kohë e dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe kthimit, përgatitjes për pagëzimin e të rriturve, e pajtimit me Zotin dhe me vëllezër dhe motra, kohë e shpeshtimit, nxitjes për pendesën e krishterë me lutje, agjërim dhe vepra të bamirësisë.
Në Kishën Katedrale të Shkodrës nën drejtimin e Arqipeshkvit të Shkodrës Imzot Angelo Massafra u mbajt mesha e shenjte. Në predikimin e tij dhe në shtjellimin e Ungjillit dhe të leximeve gjatë Meshës ipeshkvi i Shkodrës u ndal edhe rëndësia e kthimit në besim kah Zoti dhe kërkimin e faljes.
E Mërkura e Përhime është dita me të cilën fillon koha e shenjtë e Kreshmëve, që është rrugëtimi ynë drejt kremtimit të Ringjalljes së Krishtit, Pashkëve. Ajo është dera e kohës së Kreshmëve. Përveç normave zyrtare kishtare për kohë të kreshmës, katolikët kanë zhvilluar tradita dhe përshpirturi popullore të ndryshme për ta jetuar këtë kohë të shenjtë liturgjike.
