Pas më shumë se 21 vitesh, Vllaznia kërkon të rikthejë në Shkodër titullin kampion. Kuqeblutë mbeten një nga ekipet më aktive në tregun e transferimeve. Mirel Josa do të ketë në dispozicion në këtë fillim sezoni Esat Malën, ish futbollistin e Partizanit.
Prej pak ditësh, Mala është bashkuar me ekipin, por vetëm këtë të shtunë është bërë zyrtare. Klubi shkodran ka njoftuar se Esat Mala ka firmosur një kontratë 2-vjeçare.
23-vjeçari, kartonin e të cilit e zotëronte Giresunspor, u la i lirë nga klubi turk ku kaloi vetëm pak muaj pasi sezonin e kaluar u huazua te Partizani. Në 35 ndeshje me skuadrën e kuqe ai shënoi 2 gola, ndërsa me Partizanin fitoi titullin në vitin 2020.
Drejtuesit e klubit i kanë plotësuar dëshirën e radhës trajnerit Josa, një lojtar me shumë eksperiencë dhe cilësi. Josa mbetet tashmë në pritje të një sulmuesi për të mbyllur këtë merkato vere.