Federata Shqiptare e Futbollit do të hedhë paraditen e së premtes shortin e Kategorisë Superiore për sezonin 2021-2022. Në njoftimin e shpërndarë nga ky institucion, mësohet se përfaqësuesit e të gjithë klubeve ftohen të jenë të pranishëm në sallën e konferencave të stadiumit kombëtar në orën 10.30 për t’u njohur me hedhjen e shortit për sezonin e ri.
Siç është bërë e ditur, kampionati i ardhshëm do të startojë më 11 shtator. Sezoni i ri i Kategorisë Superiore pritet të jetë një nga më konkurruesit e viteve të fundit. Kjo ngaqë si rrallëherë, pretendentë për titullin kampion pritet të jenë 5-6 ekipe. Teuta kampione në fuqi do të jetë në garë për ta mbrojtur atë sërish.
Përpos saj, ekipe si Partizani e Tirana do të jenë pretendente serioze. Nga ana tjetër, Kukësi e ka lënë pas zhgënjimin e sezonit të kaluar dhe në sezonin e ri do të ketë të tjera synime. Ndërkohë si gjithmonë Laçi do të luajë fort për të qenë në mes më të mirëve. Befasia e sezonit të ri pritet të jetë Dinamo e cila vjen nga Kategoria e parë, por me merkaton që ka zhvilluar, do të kërkojë të jetë në mes ekipeve pretendente.
Natyrisht që në mes ekipeve që do të synojnë titullin, padyshim që do të jetë edhe Vllaznia. Ecuria e mirë e sezonit të kaluar, por edhe në Kupat e Europës, ka shtuar oreksin e drejtuesve për të qenë sërish në nivele të larta edhe në sezonin e ri.
Ata kanë ndër mend të hyjnë sërish në merkato dhe të ndërtojnë një ekip shumë konkurrues. Një short i favorshëm në javët e para të kampionatit, do të ishte diçka e mirë për këtë skuadër dhe për këtë arsye, te Vllaznia e presin me vëmendje hedhjen e tij.