Pas tre javësh kërkime, policia ka arrestuar dy të dyshuarit për grabitjen e një banke në qytetin e Koplikut. Burimet bëjnë me dije se të ndaluar janë dy të rinj nga zona e Bajzës në Malësinë e Madhe.
Ngjarja ndodhi me 10 maj të këtij viti, ku autorët vodhën 10.000 euro, 1000 dollarë dhe rreth 4 milionë lekë të vjetra. Fillimisht u dyshua se grabitësit ishin amatorë, por më pas policia u bind se kishte të bënte më një plan të mirëorganizuar.
Grabitësit ishin të përgatitur, madje kishin informacion të saktë edhe për shumën e parave që ndodhej në sportelet e bankës. E gjithë ngjarja ndodhi shumë shpejt ku grabitësit të cilët tashmë ndodhen në Komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe, u kanë mjaftuar disa minuta për të hyrë dhe dal nga banka.
Nga sa u mësua atë ditë nga hyrja në bankë dhe dalja e gjitha ka zgjatur 7 minuta. Grabitësit fillimisht kanë ndaluar makinën e tyre me të cilën u larguan nga Kopliku në rotondën në dalje të qytetit në superstarden Shkodër-Hani i Hotit duke i prerë rrugën Benzit dhe nën kërcënimin me armë kanë nxjerr nga makina tre personat që ndodheshin në të dhe janë larguar në drejtim të kufirit me Malin e Zi.
Pasi kanë lënë makinën në afërsi të zonës së njohur si Shegan, nga aty ata janë larguar me një mjet tjetër. Nga burime mësohet se dy të rinjte ndodhen në komisariat ku po merren në pyetje, ndërsa identiteti i tyre nuk bëhet i ditur për shkak të hetimit.