Merkatoja e dimrit ka nisur zyrtarisht sot te Vllaznia. Dhe lëvizja e parë që klubi shkodran ka bërë, ka qenë ndërprerja e kontratës me një nga futbollistët aktualë. Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare sulmuese Arlind Kalaja.
Ai nuk ka gjetur hapësirat e duhura për aktivizim në gjysmën e parë të sezonit dhe si rrjedhojë, me konsensus e ka ndërprerë kontratën me drejtuesit e klubit. Për 27 vjeçarin duket se destinacioni i ardhshëm do të jetë Suedia, vend ku është në kontakte me disa ekipe.
Por përpos Kalajës, drejt largimit janë edhe 3-4 futbollistë të tjerë e këtu përfshihen sulmuesi brazilian Kaina, mesfushori kosovar Sadrijaj dhe dy shkodranët, Hoxha e Deda. Në këtë mënyrë, tek Vllaznia do të ketë firo në merkato për momentin, ndërkohë që ende nuk ka asnjë emër konkret të futbollistëve të rinj që do të vishen kuqeblu.
Në media kanë filluar të qarkullojnë emra të ndryshëm, por deri në këto momente nuk ka asnjë lëvizje konkrete. Presidenti Xhaferi, drejtori Djarmati dhe trajneri Brdariç në daljet e tyre për mediat në fundin e vitit të shkuar janë shprehur se do ta shohim me shumë kujdes merkaton e janarit, për të mos u nxituar në afrimin e lojtarëve ngaqë kjo është një periudhë e cila nuk ka shumë lojtarë cilësorë në treg.
Megjithatë, ata janë duke bërë përpjekje që të bëjnë 2-3 lëvizje, qoftë edhe për të mbushur vendet e lëna bosh nga largimi i këtyre lojtarëve. Vllaznia është në lojë si në kupë ashtu edhe në kampionat dhe si rrjedhojë do t’i duhen sa më shumë futbollistë në organikë për të arritur objektivat e saj.