Merkato te Vllaznia vijon të jetë e hapur, por këtë herë nuk bëhet fjalë për afrime, por për huazim. Kështu, klubi shkodran njofton se ka huazuar te FK Otrant-Olympic Ulcinj, ekipi nga Ulqini, mbrojtësin Klejdi Paloka, 20-vjeçarin shkodran, i cili është pjesë e Shqipërisë U20.
Paloka luan si qendërmbrojtës dhe si shkatërrues. Duket se konkurrenca e madhe në prapavijë ka ndikuar që drejtuesit e kuqebluve ta huazojnë për një sezon lojtarin.
“KF Vllaznia bën të ditur se ka arritur një marrëveshje me FK Otrant-Olympic – Ulcinj për huazimin e futbollistit tonë Klejdi Paloka. Periudha e huazimit do të jetë për sezonin 2022-23 dhe ne i urojmë këtij lojtari paraqitje sa më dinjitoze me skuadrën e tij të re! Suksese Klejdi Paloka!” shkruhet në postimin në faqen zyrtare të Vllaznisë.
Paloka u aktivizua sezonin e fundit në total 252 minuta mes kampionatit, Kupës së Shqipërisë dhe Conference League.