Saturday , 27 November 2021

MESAZHI I MYFTIUT TË SHKODRËS ME RASTIN E MEVLUDIT SHERIFË

Të dashur besimtarë, motra dhe vëllezër!

Ditën e hënë, më 12 rebiulevel 1443, që përkon me datën 18 tetor 2021, mbarë bota islame përkujton momentin e bekuar të Lindjes së Begatë të Hz. Muhamedit (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të)!

Është pa dyshim dita më e gëzuar e krejt historisë së njerëzimit! Është dita e bekuar e përgjigjes së lutjes së Hz. Ibrahimit (a.s) dhe e realizimit të sihariqit të madh të Hz. Isait (a.s)! Është dita, kur në këtë botë erdh ai, që do të dërgohej nga Zoti i gjithësisë si: “mëshirë për mbarë botët”! Është dita e ripërtëritjes së gëzimit të madh të lindjes së shpëtimtarit, pajtimtarit, mëshirës së dhuruar, ripërtëritësit të famës dhe madhështisë së vëllezërve të tij të dërguar ndër shekuj dhe plotësuesit deri në vulosje të Mesazhit të shenjtë hyjnor për mbarë botët!

Prandaj le të gëzojmë e ta përhapim kudo mesazhin e madh, që na fton të rikthehemi tek llogaritë tona me emrin dhe traditat e Hz. Muhamedit (a.s)!

Le ta pyesë secili veten e tij se si i ka marrëdhëniet me besimin, faljen e tolerimin, drejtësinë, ndershmërinë, pastërtinë, bamirësinë, dashurinë për tjetrin kushdo qoftë ai, dashurinë për atdheun dhe tokën e tij, për të afërmit, farefisin, si i ka marrëdhëniet me prindin, me familjen e fëmijët, si e vlerëson kohën, si sillet me vartësit e tij, si e trajton përgjegjësinë e zanatit, ku qëndron me besën, fjalën dhe ruajtjen e amanetit, si sillet me natyrën dhe kafshët, sa angazhohet për të ndihmuar nevojtarin, si sillet me jetimin dhe udhëtarin në nevojë, a i qan zemra për emigrantët e pambështetur e të braktisur në det, në të ftohtë, në kufij të përbuzur, rrugëve të zbathur, qoshkeve të fjetur pa ngrënë e pa ujë?

Le ta pyesë secili veten se sa ka bërë për vendin e tij, për shoqërinë e tij, për njerëzimin, në drejtim të arsimimit të fëmijëve, edukimit me moral të lartë, me normat e qytetarisë, me vlerat e humanizmit, me dritën e dijes dhe zhvillimit, me dëshirën e natyrshme për të ruajtur ekuilibrat e paqes sociale dhe për ta mbrojtur atë si vlerë mbi vlerat, për të ndërtuar ura komunikimi dhe hapësira dialogu në realitetet e diversitetit e përtej tij!

Le ta pyesë secili veten se sa ka bërë për ambientin dhe natyrën, sa pemë e lule ka mbjellë përgjatë një viti, sa ujë ka kursyer, sa i kujdesshëm ka qenë me ushqimin dhe mosabuzimin me mirësitë e Zotit, me të cilat është rrethuar, sa falënderues ka qenë për ajrin e pastër dhe sa mirënjohës për shiun, sa mbrojtës i natyrës nga zjarret dhe sa i kujdesshëm ndaj pastërtisë së lumenjve dhe burimeve përreth tij?

Të gjitha këto dhe përtej tyre, i gjejmë të trupëzuara në mësimet dhe misionin e përbotshëm të Hz. Muhamedit (paqja qoftë mbi të), të cilin jemi të ftuar ta ndjekim e ta pasojmë, të shkojmë pas dritës së tij dhe të gëzohemi me këtë mirësi të madhe, përkujtimi i së cilës ripërtërihet vit pas viti si një mundësi e madhe për të ribërë llogaritë tona me veten, me besimin, me dashninë e njerzillekun tonë!

Me zemër të mirë këtë ditë dhe çdo ditë në të cilën ne sillemi me zemër e shpirt nga drita e Zotit, nga shembulli i përkryer i të dërguarit të Tij, nga traditat e fisnikërisë dhe moralit, përparimit dhe zhvillimit, që ai nxiti, dashurisë për njeriun, kushdo qoftë ai, dëshirës për të përhapur të mirën dhe poaq për të ndaluar të keqen në jetë, vullnetin për të jetuar në paqe me këdo dhe entuziazmin për të përhapur kudo e me këdo mëshirë dhe mirësi!

“Mirë se vjen, Resul i pritun.
Mirë se vjen per boten mbarë
Zoti Te ka porositun,
Ta udh-heqish pa e ndarë.”
“Mirë se vjen Mëshira e Zotit,

Mirë se vjen Nuri i Tí,
Ti je Shpresa e kohmotit,
Vetëm Ti je, vetëm Ti!..”
Ti je vete lumtenija,
Per gjith boten Myslimane,

Mos harro, se shqiptarija,
Te kanë babë e Te kan’ nane.
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër, Shkodër, 17 tetor 2021

Lexoni dhe kete

FINALJA E AKTIVITETIT “FJALA ARTISTIKE 2021”

Në Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija” në Shkodër është organizuar këtë të marte finalja …