Tjetër barazim pa gola për Vllazninë në miqësoret e prag-sezonit. Në përballjen e luajtur pasditen e së mërkurës në stadiumin e Peqinit, kuqeblutë kanë barazuar 0-0 ndaj Bylisit të Ballshit. Ky rezultat dhe për më tepër, fakti që skuadra shkodrane nuk shënon sërish, tregon se mungesa e golit vazhdon të jetë problemi kryesor i saj gjatë kësaj periudhe.
Në pjesën e parë trajneri Brdariç ka hedhur në fushë 11-shen që mendohet të jetë titullare në këto momente dhe gjatë këtyre 45 minutave, futbollistët shkodranë kanë bërë një paraqitje përgjithësisht të mirë . Ata kanë patur edhe raste shënimi, madje kanë goditur edhe shtyllën me anë të Imerit, por pa arritur dot ta dërgojnë topin në rrjetë. Në pjesën e dytë ndërkohë janë aktivizuar edhe të gjithë futbollistët e tjerë, por sërish nuk ka patur gol, ndonëse duhet thënë se edhe Bylis ka patur rastet e veta. Në këtë mënyrë, kjo miqësore në mes dy skuadrave të Kategorisë Superiore, është mbyllur në barazim pa gola.
Miqësorja ndaj Bylisit ka qenë e nënta që Vllaznia ka zhvilluar gjatë kësaj periudhe, nga të cilat ka fituar katër, barazuar 3 dhe humbur 2 prej tyre. Në ditët në vijim dhe me shumë mundësi të shtunën, skuadra pritet të zhvillojë një tjetër miqësore dhe sërish jashtë Shkodre, për shkak të punimeve që po bëhen në tapetin e stadiumit “Loro Boriçi”. Përveçse në miqësore, stafi teknik i Vllaznisë po punon shumë edhe gjatë seancave stërvitore për të rregulluar funksionimin e repartit të sulmit, i cili mbetet problemi kryesor i saj në këtë fillim sezoni.