Thursday , 23 February 2023

MIRDITË, FINALIZOHET OPERACIONI POLICOR I KODUAR “POKER”

Në vijim të kontrolleve të pandërprera në gjithë qarkun Lezhë, në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në një ambient ushtrohej aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit, shërbimet e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Poker”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë 3 shtetas dhe u proceduan penalisht 23 të tjerë.

Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi N. P. ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në ambientin e lokalit të tij, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në ambientet e këtij lokali.

Në vijim të veprimeve janë vënë në pranga shtetasit:

N. P., 46 vjeç, pronari i lokalit dhe M. T., 21 vjeç, punonjës në lokal, banues në Mirditë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim drogë”;

Xh. S., 21 vjeç (klient në lokal), për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”. Këtij shtetasi, nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet një sasi e dyshuar cannabis sativa.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 23 shtetas të tjerë, klientë në lokal, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndë narkotike e dyshuar cannabis, një tavolinë pokeri, çipsa, dy kompjuterë dhe dy aparate celular. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë.

Lexoni dhe kete

VIJON OPERACIONI POLICOR “FIJET”

Policia e Shtetit vijon me fazën e dytë të planit operacional policor të koduar “Fijet”. …