Forumi Rinor Islam për të 17-ten herë me radhë organizoi manifestimin tradicional të Vitit të Ri islam Hixhri 1439 në Teatrin Kombëtar Maqedonas në Shkup. Ky manifestim filloi me leximin e disa ajeteve kuranore nga hafiz Egzon Ibrahimi nga Kosova. Forumi Rinor Islam në vazhdimësi promovon një nga qëllimet kryesore: stimulimin e diturisë dhe shkencës, nxënien e dijes. Kjo dëshmohet më së miri përmes dekorimit të nxënësve dhe studentëve më të dalluar. Nga shumë shkolla të mesme të qyteteve të Republikës së Maqedonisë u dekoruan nxënësit më të mirë. Poashtu u dekoruan edhe studentët më të dalluar të fakulteteve të ndryshme nga disa universitete.
Si hafizi më i ri u dekorua 14 vjeçari hafiz Burak Iseni. Ndërkaq pas konkursit të shpallur si shkencëtar i vitit çmimin e fitoi Dr. Arlind Farizi nga Tetova. U bë edhe dekorimi i disa personaliteteve dhe subjekteve për kontribut dhe arritje të veçant.
Post mortum u dekorua hoxhë Rexhep Voka, ndërkaq të dekoruarit tjerë ishin: mësuese Ajshe Dalipi, Myftiu i Shkodrës hoxhë Muhamed Sytari, OJQ “Horizonti” nga Mali i Zi, dhe K.F “Shkëndija” nga Tetova. Në emër të dekoruarve të pranishmit i përshëndeti hoxhë Muhamed B.Sytari i cili ndër të tjera falënderoi organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit për këtë tubim.
Si çdo vit edhe kësaj radhe ky manifestim ishte i pasur edhe me disa pika artistike. Recitalin “Rrugë të mbarë” të shkruar nga Fatmir Muja dhe poezinë “Din e dije” e shkruar nga hoxhë Rexhep Voka, para numrit të madh të pranishmëve, i interpretoi aktori Adrian Aziri. Dhe mysafir i kësaj mbrëmjeje ishte kënduesi i mirënjohur i ilahive, Mesut Kurtish i cili këndoi dy ilahi nga albumi i tij i fundit. Në fund me dekoratë të veçantë u dekorua studenti nga Shkupi Emir Fetai i cili ka përfunduar studimet në Stamboll dhe është shpallur studenti më i mirë në mesin e 1200 studentëve të atjeshëm.