15 klandestine janë ndaluar nga Policia e Kufirit dhe Migracionit Shkodrës, teksa po tentonin të kalonin kufirin në Mal të Zi. Gjatë një aksioni policor në pika të ndryshme të kufirit me Malin e Zi janë ndaluar shtetas nga Siria, Palestina dhe Pakistani. Ndalimi i tyre është bërë në dy pikat e kufirit me Malin e Zi në afërsi të Pikës së kalimit kufitar të Muriqanit dhe në Han të Hotit. Ndërsa disa klandestin janë ndaluar në qytetin e Shkodrës ku pasi janë ushtruar kontrolle ata kanë pranuar se kanë hyrë në Shqipëri në mënyrë ilegale përmes Greqisë dhe se kanë arritur deri në Shkodër duke paguar para për ti transportuar në Mal të Zi e më pas të arrinin në vendet e Bashkimit Europian.
Nga sa mësohet policia ka ushtruar edhe kontrolle në bazë të regjistrave të hoteleve dhe bujtinave në Shkodër ku ka pasur informacione se mund të jenë akomoduar klandestin kryesisht Sirian të cilët kanë synim kalimin në Mal të Zi e më pas vendet e BE-së. Mali i Zi në anën tjetër ka mobilizuar edhe ushtrin e cila në disa pika kyçe të kufirit po patrullojnë së bashku me qëllim ndalimin e një dyndje klandestinesh në Mal të Zi. Gjatë këtij viti në vendin tonë janë ndaluar rreth 500 klandestin kryesisht nga Lindja e Mesme dhe vendet në konflikt.