Monday , 20 September 2021

RAPORTI I DASH PËR SHQIPËRINË PËR VITIN 2021

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për klimën e biznesit 2021, i publikuar së fundi, shprehet sërish me nota të larta kritike për klimën e biznesit në Shqipëri. Raporti thotë se korrupsioni në gjyqësor dhe prokurime është i zakonshëm.

DASH e vë theksin edhe në projektet e partneritetit publik privat (PPP), që cilësohen problematike, pa një analizë të qartë kosto-përfitime dhe që kanë ulur mundësinë e konkurrencës, përfshirë dhe nga investiorët e huaj. Si rrjedhojë e problemeve gjyqësore, DASH vë në dukje se u penguan përpjekjet e një kompanie amerikane për të investuar në Shqipëri.

Sipas raportit, korrupsioni endemik vazhdon të minojë shtetin e së drejtës dhe të rrezikojë zhvillimin ekonomik. Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik, ekonominë informale dhe zbatimin e dobët të kontratave si disa nga problemet më të mëdha në Shqipëri.

Shqipëria është ende një nga vendet më të korruptuara në Evropë, sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit dhe treguesve të tjerë.

Në raport thuhet:, “Pavarësisht nga një kornizë e shëndoshë ligjore dhe përparimit në e-reformat, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik, konkurrencën e padrejtë, ekonominë informale, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si problemet e vazhdueshme në Shqipëri.

Raportet e korrupsionit në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka ulur mundësitë e konkurrencës, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.

Raporti vijon duke thënë se të drejtat e pronës vazhdojnë të jenë një sfidë në Shqipëri sepse është e vështirë të fitosh një titull të qartë. Ka pasur raste që individë dyshohet se manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës. Mbivendosja e titujve të pronave është një çështje serioze dhe e zakonshme.

Zbatimi i reformës gjyqësore është në vazhdim, dhe përfundimi i saj pritet të përmirësojë klimën e investimeve në vend, thuhet ndër të tjera në raport.

Lexoni dhe kete

RAMA – BASHA DEBAT NË KUVEND

Teksa ishte në fund të fjalës së tij në Kuvend, kryeministri Edi Rama, po fliste …