Ende pa u bërë vlerësimi i dëmeve të përmbytjeve të shkaktuara pak javë më parë në Bashkinë Shkodër, reshjet e shiut të orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytjen e rreth 500 hektarëve tokë bujqësore në njësinë administrative Ana e Malit të Bashkisë Shkodër.
Uji ka nisur të shfaqet edhe në rrugën e Obotit, ndërsa banorët janë paralajmëruar të tregojnë kujdes pasi situata mund të ndryshojë…
Alban Sekja, drejtor i bujqësisë në Bashkinë Shkodër, thekson se niveli i ujit në këto fshatra i ka nxjerrë jashtë funksionit kanalet kulluese dhe shpreson që të mos ketë shkarkime pasi situata mund të rëndohet…
Sipas njoftimit të Bashkisë Shkodër, kuotat e lumenjve dhe liqenit të Shkodrës janë rritur si pasojë e prurjeve me rreth 50 cm.