Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, të iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave në zona me frekuentim të lartë në qytet, kanë vijuar me punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
Në vijim të këtij operacioni, në lagjet “10 korriku”, “Guerrile” dhe “Ndoc Mazi”, shërbimet e Policisë konstatuan dhe çmontuan 10 kamera, si dhe nisën hetimet në ngarkim të shtetasve R. Z. dhe A. B., për vendosjen e këtyre kamerave në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Kështu, shkon në 89 numri i kamerave të çmontuara në këtë qark që nga nisja e operacionit policor.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.