Edicioni i 9 i “Shkodra Jazz Festivali” u ndal mbrëmjen e së mërkurës në teatrin “Migjeni” me një koncert për qytetarët shkodranë. I ftuar ishte pianisti i njohur Paolo Marzocchi, i cili përformoi pjesë të ndryshme muzikore. Ndërkohë, në një prononcim të tij, ai tha se është një emocion i madh pjesëmarrja në Shkodër dhe që po punon për muzikën shkodrane.
“Për mua është një emocion i madh, sepse ka rreth 15 vite që punoj për muziken shkodrane. Kam punuar në fillim në Itali, pa ditur asgjë për këtë muzikë dhe jam afruar falë ndihmës së Paçalin Pavacit. Kam filluar duke punuar materiale dhe më pas duke u zbavitur dhe në fund duke krijuar këto materiale. Disa prej pjesëve i kam përformuar në të gjithë botën dhe tashmë erdhi momenti edhe për në Shkodër. Kisha një emocion kaq të fortë sa nuk e kam pasur në teatrin Las Cala. Pastaj u njoha me familjen Jakova që më dhanën kompozimet e Prenkë Jakovës.”
Ndërsa, kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër, Greta Bardeli, dhuroi një çertifikatë mirënjohje për shoqatën kulturore “Rrok Jakaj”.
Ndërkohë, këtë të enjte, u zhvillua aktiviteti i rradhës me të rinjtë e qytetit të Shkodrës.
Koncerti i organizuar në teatrin “Migjeni” është filmuar i plotë nga Tv Rozafa dhe do të transmetohet në ditët në vijim.