Vllaznia do të ndeshet me rumunët e Universitatea të Krajovës në ndeshjet e turit të dytë të “Conference League”. Ky është verdikti i shortit të hedhur mesditën e së mërkurës në Nion të Zvicrës.
Nga 6 kundërshtarët e mundshëm me të cilat mund të ndesheshin shkodranët, goglat i kanë vënë përballë ekipin rumun i cili është një nga më të mirët e vendit të tij dhe pjesmarrës i rregullt i Kupave të Europës. Ndërkohë, sipas shortit të hedhur, ndeshja e parë do të luhet më 21 korrik në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ndërsa ajo e kthimit do të luhet një javë më vonë në Krajova të Rumanisë.
Në pamjë të parë kemi të bëjmë me një kundërshtar të vështirë, i cili ka një buxhet shumë herë më të madh se Vllaznia, por kjo nuk është gjithçka. Kujtojmë që një sezon më parë, skuadra rumune u ndesh me Laçin dhe ky i fundit u kualifikua për në turin tjetër pasi barazoi 0-0 në ndeshjen e parë në transfertë dhe pastaj fitoi 1-0 në fushën e tij.
Kjo do të thotë se Universitatea nuk është një skuadër e cila mund të kalohet, megjithatë për ta bërë këtë gjë, Vllaznia duhet të jetë në lartësinë e duhur. Për këtë arsye, tashmë drejtuesve të saj i lind për detyrë që forcohet me lojtarët e duhur dhe të përgatitet në mënyrën e duhur, për të tentuar kalimin e këtij kundërshtari dhe shkuarjen në turin e tretë të këtij kompeticioni.
Kjo do të ishte diçka historike për ekipin shkodran sepse nuk e ka arritur asnjëherë më parë një gjë të tillë dhe pse jo, mund të ndodhë sivjet. Një rezultat i mirë në sfidën e parë në Shkodër, mund të vendosë shumë gjëra për sfidën e kthimit në Rumani.