Në seancën e fundit të Parlamentit të Malit të Zi nuk gjeti mbështetje nisma e deputetëve shqiptarë për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi organizimin territorial. Ky ligj parashikonte që edhe Malësia me qendër në Tuz, të fitojë statusin e komunës së plotë.
Realizimi i këtij objektivi ishte kërkesë e vazhdueshme e partive politike shqiptare, por që asnjëherë nuk gjeti mbështetje nga Qeveria e Malit të Zi. Si pasojë, Tuzi me shumicë shqiptare, mbetet komunë urbane në varesi të kryeqytetit të Malit të Zi, Podgoricës.
Edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në vizitën e fundit që zhvilloi në Malin e Zi, kërkoi krijimin e komunës së Tuzit, e cila banohet me shumicë shqiptare. Meta tha se dhënia e statusit të plotë të komunës së Tuzit, do të ishte një tregues konkret se autoritetet malazeze respektojnë të drejtat e pakicave kombëtare.