Gjykata Kushtetuese zhvilloi një seancë maratonë në lidhje me legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 2019.
Në seancë diskutimet dhe parashtrimi i argumenteve të palëve ka zgjatur mbi 9 orë dhe në fund Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë gjykimin për këtë çështje dhe t’i drejtohet Komisionit të Venecias.
Në përfundim të seancës, kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, u shpreh se shpreson që Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim që do i shërbejë demokracisë, pasi sipas saj themelet e demokracisë janë shkelmuar me 30 qershor 2019.
Ndërkohë, për avokatin Jordan Daci, lajmi i mirë është se Gjykata kushtetuese funksionon.
Palët e përfshira në këtë çështje Presidenti Republikës së Shqipërisë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Avokati i Popullit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Bindja Demokratike dhe Voltana Ademi në emër të kryetares së Shoqatës së Bashkive kanë të drejtë të depozitojnë deri me 25 qershor vetëm nga një pyetje për Komisionin e Venecias.
Më pas Gjykata Kushtuese do i drejtohet Komisionit të Venecias me pyetjen e saj dhe pyetjen e palëve për të marrë përgjigjet dhe argumentet e Venecias.