Policia e Shtetit vijon me fazën e dytë të planit operacional policor të koduar “Fijet”. 20 kamera të tjera që i shërbenin informimit të kontigjentit kriminal, u evidentuan dhe u çmontuan nga Policia e Shkodrës. Kamerat ishin instaluar në 3 lagje shumë të frekuentuara të qytetit.
Brenda pak ditësh, plani operacional “Fijet” çmontoi 79 kamera në këtë qytet.
Gjithashtu, janë çmontuar në Mirditë dhe në Zejmen, Lezhë, 9 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjet në fuqi. Vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin e autorëve dhe për dokumentimin e qëllimin të vendosjes së 5 kamerave në Mirditë. Për 4 kamerat e instaluara në kundërshtim me ligjin, në Zejmen, Lezhë, është inicuar hetimi për një shtetase, për cenim të privatësisë.
Konkretisht, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Mirditë kanë çmontuar në rrugën “Vaso Pasha” dhe kanë sekuestruar, 5 kamera të dyshuara të lidhura me celularë të shtetasve të ndryshëm, ende të paidentifikuar.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë kanë çmontuar në fshatin Zejmen, Lezhë, 4 kamera. Për vendosjen e tyre në kundërshtim me ligjin, janë iniciuar hetimet në Prokurorinë e Lezhës, për shtetasen M. P. Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente.