Monday , 20 September 2021

VLLAZNIA 10 DITË PUSHIME PARA RIKTHIMIT NË STËRVITJE

Vllaznia ka marrë pushimet. Pas përfundimit të ndeshjes së kthimit me AEL Limassol dhe eliminimit nga Kupat e Europës, stafi teknik u ka dhënë 10 ditë pushim futbollistëve. Një pushim që në fakt e kanë patur të nevojshëm sepse prej një muaji e gjysëm ata janë stërvitur e kanë luajtur në temperatura shumë të larta.

Ndërkohë, stafi ka planifikuar që ekipi të rikthehet në fushë më 9 gusht. Sipas parashikimeve të bëra, Vllaznia do të stërvitet për një javë në Shkodër. Kjo periudhë do t’I shërbejë ekipit për t’u kompletuar me lojtarët e duhur, ndërkohë që nga gjysma e gushtit pastaj, është planifikuar që skuadra shkodrane të zhvillojë një stërvitje tjetër 10 ditore diku jashtë vendit.

Ende nuk është vendosur vendi I saktë dhe një alternativë është sërish Zllatibori, vend ku u stërvitën edhe në muajin qershor. Vllaznia do të kthehet në Shkodër para datës 28 gusht, ditë kur do të luajë ndeshjen finale të Superkupës ndaj Teutës.

Ajo padyshim që do të tentojë ta fitojë këtë ndeshje dhe këtë trofe simbolik, por padyshim që vëmendja do të jetë e përqendruar tek sfidat e sezonit të ri. Sezon në të cilin kuqeblutë do të tentojnë sërish fitimin e të dy trofeve. Kuptohet që për ta bërë këtë gjë, do të duhet të ndërtohet një ekip cilësor dhe prandaj drejtuesit vazhdojnë përpjekjet intensive në merkato për të gjetur lojtarët e duhur.

Ka shumë zëra që qarkullojnë për afrimin e lojtarëve të ndryshëm, megjithatë pa u hedhur firma në kontratë, tek Vllaznia nuk kanë ndërmend ta quajnë fakt të kryer.

Lexoni dhe kete

KAMPIONATI I BOKSIT NIS ME RIVALITETIN VLLAZNIA – TIRANA

Kampionati kombëtar i boksit ka nisur me rivalitet që në ditën e tij të parë …