Fitorja ndaj Laçit në finalen e Kupës së Shqipërisë, nuk ka qenë thjesht një trofe më shumë për muzeun e Vllaznisë. Me këtë triumf, ajo ka siguruar edhe pjesmarrjen në Kupat e Europës, gjë që nuk e arriti përmes kampionatit, e pikërisht për këtë arsye, shpjegohet më së miri rëndësia që kishte kjo finale për kuqeblutë.
Si fituese e Kupës së Shqipërisë, ekipi shkodran do të marrë pjesë në kompeticionin “Europa Conference League”, por ka një dilemë ende të madhe rreth kësaj pjesmarrje. Bëhet fjalë për atë, nëse Vllaznia do të kualifikohet menjëherë në turin e dytë të këtij kompeticioni, apo do ta nisë garën nga turi i parë.
Në media të ndryshme shqiptare është konfirmuar lajmi se fituesja e Kupës në Shqipërisë do të luante në turin e dytë dhe nga kjo do të përfitonte së paku 450 mijë euro shpërblime. Por nga ana tjetër, zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit u kanë komunikuar drejtuesve kuqeblu se do ta nisin garën nga turi i parë. Kjo gjë ka krijuar njëfarë amullie sepse në varësi të kësaj, do të varet edhe periudha e nisjes së përgatitjeve për ekipin.
Në rast se Vllaznia do të luajë në turin e parë, ndeshjet e të cilit do të luhen më 7 dhe 14 korrik, stërvitja e saj duhet të nisë nga data 10 qershor. Por nëse e nis nga turi i dytë, kjo do të thotë se lojtarët do kenë pak më shumë pushim pasi ndeshjet do të luhen në datat 21 dhe 28 korrik. Gjithçka pritet të mësohet brenda këtyre dy ditëve pasi vetë Federata Shqiptare e Futbollit do të komunikojë me UEFA-n.
Kjo e fundit ka marrë vendimin për të përjashtuar ekipet ruse dhe bjelloruse nga kompeticionet europiane dhe prandaj është krijuar kjo amulli. Gjithsesi te Vllaznia nuk janë duke qëndruar duarkryq. Nëse futbollistët kanë nisur pushimet, drejtuesit kanë nisur punën për formimin e skuadrës që do të luajë në Kupat e Europës si dhe në sezonin e ardhshëm të futbollit shqiptar.