Pas Vllaznisë së meshkujve, tashmë është ajo e femrave në futboll që po pret të mësojë emrat e ekipeve kundërshtare me të cilat do të ndeshet në Ligën e Kampioneve të Europës. Ai do të hidhet ditën e premte në orën 13.00 në Nion të Zvicrës dhe kampionet e Shqipërisë do të mësojnë kundështaret e tyre në grup.
Në edicionin e sivjetëm të këtij kompeticioni të rëndësishëm europian, në turin e parë do të marrin pjesë 44 skuadra të ndara në 11 grupe nga 4 skuadra secila. Nga sa është bërë e ditur, Vllaznia, nisur edhe nga koefiçenti i lartë që ka si rrjedhojë e pjesmarrjeve të suksesshme në këtë kompeticion vitet e fundit, renditet e shtata e për këtë arsye, do të jetë në vazon e parë të shortit. Kjo padyshim që është diçka shumë e mirë sepse ka më shumë shanse ndoshta për kalimin në turin e dytë, por jo gjithçka.
Ndërkohë skuadra pret që të mësojë shortin e Ligës së Kampioneve dhe më pas do të nisë përgatitjet për ndeshjet e këtij kompeticioni që do të zhvillohen në muajin gusht. Synimi padyshim që do të jetë kualifikimi për në 32 skuadrat më të mira të Europës, e kjo do të ishte hera e tretë që do të arrihej. Kuptohet që nuk do të jetë diçka e lehtë dhe për këtë arsye, presidenti Lazer Matija ka nisur punën për forcimin e skuadrës me të tjera lojtare cilësore.
Po synohet forcimi i saj në pozicionet ku ajo ka nevojë dhe duket se përforcimet edhe këtë herë do të vijnë nga Amerika. Megjithatë në ditët në vijim do të mësohet më shumë për gjithçka sa i takon merkatos, por deri të premten, në kampin shkodran fokusi është tek shorti që do të hidhet, për të mësuar edhe emrat e ekipeve kundërshtare me të cilin do të luajnë në turin e parë të Ligës së Kampioneve të Europës.