Prej tre ditësh Vllaznia ka nisur përgatitjet për ndeshjet e Kupave të Europës dhe stafi teknik po aplikon nga dy seanca stërvitore në ditë për futbollistët. Por nga ana tjetër, skuadra është ende një kantier ndërtimi teksa ka futbollistë që largohen çdo ditë e po ashtu, priten edhe të tjerë në ditët në vijim.
Pas largimeve të Krymit, Da Silvës, Panos, Mustedanagiç e Djurdjeviç, i rradhës që i ka dhënë lamtumirën kuqebluve ka qenë mbrojtësi Abdurrahman Fangaj. 24 vjeçari kishte edhe 6 muaj kontratë me kuqeblutë, por duket se ka gjetur akordin për ta ndërprerë atë dhe mesa duket destinacioni i tij i ardhshëm do të jetë Teuta e Durrësit.
Por përpos Fangajt, me shumë mundësi do të ketë edhe ndonjë largim tjetër nga skuadra shkodrane. Megjithatë interesi i të gjithëve është se cilët do jenë lojtarët të cilët do të veshin fanellën kuqeblu në të ardhmen. Për momentin nuk ka emra konkretë, por trajneri Josa mesa duket pret edhe 3-4 lojtarë si përforcim. Deri tani ka ardhur vetëm kosovari Boshnjaku dhe në ditët në vijim priten edhe firma të tjera të rëndësishme.
Mësohet se Vllaznia do të vijojë të stërvitet në Shkodër deri në fund të javës së ardhshme dhe më pas do të spostohet në një kamping jashtë vendit, ku do të qëndrojë për një periudhë dyjavore. Më tej do të rikthehet sërish në Shkodër, për t’i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e parë ndaj rumunëve të Universitatea të Krajovës që luhet më 21 korrik në stadiumin “Loro Boriçi”.