Friday , 3 December 2021

VLLAZNIA FEMRA ‘MBYLL’ ÇËSHTJEN E TITULLIT KAMPION

Një gol I Megi Doçit I ka mjaftuar Vllaznisë së femrave për të mundur rivalen e saj kryesore, Apoloninë dhe shtatë javë para fundit të kampionatit, duket se praktikisht e ka mbyllur çështjen e titullit kampion. Diferenca me fieraket ka shkuar tashmë në 8 pikë dhe për rrjedhojë, me ecurinë që Vllaznia ka, është thuajse e pamundur të mendohet ndryshe.

Ndeshja e luajtur pasditen e së shtunës në Fier ka patur një rëndësi të madhe, sidomos për vajzat fierake që dëshironin fitoren për të rihapur çështjen e titullit. Ato kanë luajtur me kujdes, megjithatë ekipi shkodran e ka dominuar ndeshjen nga fillimi e deri në fund, ndonëse nuk kanë mundur të luajnë ashtu si duhet, edhe për shkak të erës së fortë që e ka shoqëruar atë nga fillimi e deri në fund.

Vajzat e drejtuara nga trajneri Nikolin Leka kanë patur disa raste të pastra shënimi, kanë goditur edhe shtyllën e portës së Apolonisë, por goli ka vonuar të dalë në dritë. Duhet të vinte minuta e 78-të që e zakonshmja Megi Doçi të bënte atë që di të bëjë më mirë, të dërgojë topin në rrjetën e portës kundërshtare.

E ka bërë këtë gjë dhe dje duke shënuar një gol me vlerë trepikëshe. Përfundimisht Vllaznia fitoi 1-0 duke shkuar në kuotën e 45 pikëve pas 15 javësh në kampionat. Ajo është e shkëputur tashmë plot 8 pikë nga Apolonia e vendit të dytë dhe shtatë javë përpara fundit të kampionatit, çështja e titullit kampion duket një formalitet për të.

Ky do të jetë titulli I tetë kampion rradhazi për këtë ekip që gjithashtu synon edhe fitoren e kupës së 8-të të Shqipërisë teksa do të diskutojë edhe finalen e saj po ndaj Apolonisë.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA NIS TË MENDOJË PËR SFIDËN ME TEUTËN

Dy ditë pushim i ka lënë stafi teknik futbollistët e Vllaznisë pas fitores të së …