Tek Vllaznia nuk ka pushime. Vetëm pak orë pas përfundimit të aventurës europiane, klubi shkodran ka zyrtarizuar blerjen e një sulmuesi.
Bëhet fjalë për kroatin 25 vjeçar Ante Aralica. Sulmuesi shtatëlartë ka luajtur së fundi në Rumani dhe vjen në Shkodër duke premtuar të shënojë golat që i kanë munguar së fundi kuqebluve. Aralica mësohet se ka firmosur për dy sezone me skuadrën që drejtohet nga Thomas Brdariç.
Pas tij pritet edhe ndonjë ardhje tjetër, por siç ka bërë të ditur sponsori Xhaferi, nga skuadra do të ketë edhe largime të futbollistëve që u ka mbaruar kontrata. Kjo do të thotë se Vllaznia e sezonit të ri do të ketë disa ndryshime në përbërjen e saj.
Në fakt, drejtuesit do të kenë kohën e mjaftueshme për ta bërë këtë gjë sepse kampionati i ri starton më 11 shtator.
Madje, paraditen e sotme është hedhur edhe shorti i tij. Goglat kanë dhënë edhe verdiktin e ndeshjeve për secilin ekip teksa Vllaznia në javën e parë do të udhëtojë për në tranfertën e vështirë të Laçit. Shorti kësisoj duket se nuk ka qenë aspak i favorshëm për shkodranët sepse në javën e dytë do të presin në “Loro Boriçi” ekipin kampion në fuqi, atë të Teutës.
Në javën e tretë dhe të katërt, djemtë e drejtuar nga Brdariç do të kenë dy transferta njëra pas tjetrës, fillimisht me Partizanin dhe më pas me Skënderbeun. Në javën e pestë do vijë në Shkodër Dinamo, para se kuqeblutë të udhëtojnë drejt Kukësit në javën e gjashtë.
Në tre javët e fundit të fazës së parë Vllaznia do të presë në Shkodër ekipin e Tiranës dhe Kastriotit ndërsa do të udhëtojë drejt Rrogozhinës. Një kalendar ky aspak i favorshëm, sidomos në nisje të kampionatit, megjithatë shkodranët do të bëjnë çmos për ta nisur ashtu si duhet atë sepse pretendimet e tyre do të jenë shumë ambicioze.