Vllaznia është rikthyer te fitorja në kampionat, teksa ka fituar në transfertë përballë Kukësit. 1 gol i shënuar në fundin e pjesës së parë nga mbrojtësi Hakaj i ka mjaftuar kuqebluve për të marrë 3 pikë të rëndësishme.
Ka qenë një sfidë kryesisht e dominuar nga shkodranët, të cilët kishin disa raste për të thelluar rezultatin. Që në minutën e 6-të, Alivoda rrezikon për kuqeblutë, por portjeri Tafas bën shpëtimtarin. Edhe në minutën e 13-të, Gurishta provon të surprizojë Tafas, teksa godet por topi gjen gati gardianin e verilindorëve.
Duhej të vinte minuta e 42-të që Vllaznia të gjente golin me Hakaj, i cili kalon në avantazh shkodranët, duke shënuar një gol shumë të bukur nga distanca.
Edhe në pjesën e dytë, Vllaznia është më e rrezikshme, ndërsa për Kukësin, rasti më i mirë është në minutën e 80-të kur Barbosa i shkon afër golit të barazimit, por gjuajtja e tij përfundon ngjitur me shtyllen e Zogovic.
Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në vendin e tretë, vetëm 3 pikë më pak se Tirana kryesuese, ndërsa sfidën e radhës e luan pikërisht përballë bardhebluve në shtëpi.