Monday , 20 September 2021

VLLAZNIA KËRKESË MINISTRISË: HAPNI “LORO BORIÇIN”!

Federata Shqiptare e Futbollit i është drejtuar ditën e hënë Ministrisë së Shëndetësisë me një shkresë të posaçme për lejimin e hapjes së stadiumeve pa kufizim të numrit të spektatorëve.

Por nga ana tjetër, në mbështetje të kësaj kërkese edhe Klubi i Futbollit Vllaznia i është drejtuar ditën e sotme me një shkresë të posaçme këtij institucioni. Shkresa që mban firmën e presidentes së klubit, njëkohësisht kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, është e përqendruar kryesisht vetëm tek ndeshja e së enjtes ndaj qipriotëve të AEL Limasol.

“Duke kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, ne do t’iu luteshim qe në ndeshjen e datës 29 Korrik në orën 21.00 në stadiumin “Loro Boriçi” të lejohet prania e tifozëve pa asnjë kufizim duke konsideruar se qyteti i Shkodrës prej kohësh ka arritur tashmë nje imunizim falë edhe masave të kujdesshme të ndërmarra dhe ecurisë mjaft të mirë të procesit të vaksinimit masiv të popullatës nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë”= shkruhet ndër të tjera në shkresën e dërguar kësaj të fundit.

Kuptohet që tashmë klubi shkodran është në pritje të një përgjigje nga ky institucion, përgjigje që në fakt duhet të vijë shpejt sepse nuk ka kohë ngaqë ndeshja ndaj AEL është në prag.

Tek kuqeblutë mendojnë se ky vendim do të ndihmonte në rikthimin e normalitetit në sport dhe në jetën sociale të qytetit të Shkodrës dhe do të ishte edhe një shembull suksesi në të gjithë vendin sesi mund të garantohet siguria publike duke iu rikthyer aktiviteteve të këtyre përmasave.

Vllaznia falë edhe mbështetjes së zjarrtë në ndeshjen e turit të parë ndaj Shiroki Brijeg, ia doli të përmbyste shifrat dhe të kualifikohej për në turin tjetër.

Për ndeshjen e së enjtes, interesimi i tifozëve që duan të jenë të pranishëm në stadium është shumë i madh dhe për këtë arsye, një përgjigje pozitive e Ministrisë së Shëndetësisë, përveçse do t’i kënaqte ato, do të ishte edhe një plus më tepër për ekipin shkodran në objektivin e tij për t’u kualifikuar për në turin e tretë të “Conference League”.

Lexoni dhe kete

KAMPIONATI I BOKSIT NIS ME RIVALITETIN VLLAZNIA – TIRANA

Kampionati kombëtar i boksit ka nisur me rivalitet që në ditën e tij të parë …