Pas një jave pause, Vllaznia e sezonit të ri ka nisur të marrë formë. Dita e sotme ka sjellë edhe zhvillimet e para në kampin shkodran dhe duket se kemi të bëjmë me lëvizje shumë të rëndësishme. E para ka qenë firma në kontratë me mesfushorin kosovar Lorik Boshnjaku.
27 vjeçari ka ardhur nga Prishtina, skuadër ku ka punuar më parë me trajnerin Josa dhe pritet të mbushë boshllëkun e krijuar nga largimi I Ardit Krymit. Me Boshnjakun drejtuesit e klubit kanë firmosur kontratë dyvjeçare. Por ndërkohë një tjetër lajm I mirë është edhe rinovimi me mesfushorin tjetër, Fjoart Jonuzin.
Futbollisti kukësian ka patur oferta të tjera por në fund ka vendosur e të luajë edhe një sezon të tretë me Vllazninë. Akordi me Jonuzin është arritur dhe pritet që në orët në vazhdim të zyrtarizohet nga ana e klubit. Por nga ana tjetër, drejtuesit e tij kanë bërë edhe një tjetër lëvizje shumë të goditur, por këtë herë në stafin teknik.
Presidenti Alban Xhaferi ka vendosur që krahu I djathtë I Mirel Josës në pankinë të jetë Vioresin Sinani dhe nga sot ai ka nisur këtë detyrë të re pranë skuadrës me të cilën ka bërë emër në karrierën e tij.
Këto tre lëvizje apo dhe të tjera që do të vijnë në ditët e adhshme, tregojnë se kuqeblutë pritet të ndërtojnë një skuadër shumë të fortë për sezonin e ri ku padyshim që do të kenë objektiva madhore. Por së pari, fokusi I të gjithë do të jetë tek Kupat e Europës ku do të kërkohet një ballafaqim sa më dinjitoz.