Vllaznia po vijon përgatitjet në Austri për ndeshjet e Ligës së Konferencës ndaj ekipit të Krajovës, Atje gjithçka po shkon në mënyrën e duhur. Kuptohet që temperaturat e ulëta që mbizotërojnë në kampingun ku janë vendosur kuqeblutë, i kanë favorizuar ato për të marrë ngarkesat e duhura stërvitore.
Tashmë me skuadrën është bashkuar në stërvitje edhe Liridon Latifi dhe stafi teknik nuk pret më asnjë lojtar tjetër. Të paktën për ndeshjet europiane, planet po bëhen me kontigjentin aktual që është duke u stërvitur në Austri. Pavarësisht emrave që vazhdojnë të diskutohen, nuk ka më kohë për prurje të reja sepse atyre do t’u duhej kohë për të kapur formën dhe për t’u adaptuar me grupin.
Trajneri Josa duke filluar nga miqësorja e parë e në vazhdim do të punojë për konsolidimin e formacionit dhe mënyrën e të luajturit. Tre ndeshjet miqësore që do të luhen në tokën austriake, do ta ndihmojnë atë maksimalisht për të ndarë mendjen për gjërat e mësipërme. Dilemat në fakt nuk janë të mëdha në mendjen e tij, megjithatë do të jenë ditët në vazhdim që do të vendosin gjtihçka.
Kuptohet që e rëndësishme është që të mos ketë dëmtime lojtarësh. Nëse gjërat shkojnë ashtu si duhet, atëherë puna do të fokusohet vetëm tek ndeshja e parë ndaj rumunëve të Krajovës e cila do të luhet më 21 korrik në Shkodër. Shpresat janë të mëdha që Vllaznia të marrë një rezultat pozitiv në këtë takim të parë, për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim një javë më pas në Rumani.